
Automjeti që po ngjitej në traget u fundos para syve të ekipit të emergjencës, ndërsa roja bregdetare arriti të shpëtojë drejtuesin e mjetit.
Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në portin e Barit, ku një makinë ka rënë në det në momentin që po hipte në tragetin me destinacion Shqipërinë. Ngjarja shkaktoi alarm në zonë, ndërsa autoritetet portuale ndërhynë menjëherë.
Sipas informacioneve, në mjet ndodhej vetëm drejtuesi, një shtetas shqiptar, i cili në momentet e fundit arriti të ngjitej mbi makinë ndërsa ajo po fundosej. Roja Bregdetare iu afrua me shpejtësi dhe e nxori të sigurt në bord.
Burri theu xhamin e përparmë të automjetit për të dalë jashtë, pak sekonda para se mjeti të zhytjej plotësisht në ujë. Pas shpëtimit të tij, zjarrfikësit aktivizuan Njësinë e zhytësve për të bërë të mundur gjetjen dhe nxjerrjen e automjetit nga fundi i portit.
Autoritetet po hetojnë rrethanat e incidentit, ndërsa fatmirësisht nuk ka të lënduar.
