
Dy ngjarje të ndara vetëm pak kilometra larg zbulojnë një rrëfim të rëndë familjar, ndërsa prokuroria heton pistën e një akti ekstrem nga e ëma.
Në provincën e Leçes, autoritetet italiane kanë zbuluar mbrëmjen e djeshme dy viktima të së njëjtës familje në rrethana tronditëse. Pranë Torre dell’Orso, një zhytës gjeti në det trupin e një gruaje 35-vjeçare, Najoua Minniti, e cila u tërhoq në breg nga Roja Bregdetare.
Ndërkohë, në shtëpinë e saj në Calimera, karabinierët gjetën të pajetë djalin e saj 8-vjeçar, Elia Perrone, me plagë të shkaktuara nga një mjet i mprehtë. Babai i fëmijës kishte njoftuar policinë pasi nuk po arrinte të kontaktonte as me ish-bashkëshorten, as me djalin, ndërsa vogëlushi nuk ishte paraqitur në shkollë atë ditë.
Prokuroria e Leçes po shqyrton mundësinë që nëna të ketë vrarë fëmijën dhe më pas të jetë hedhur në det, megjithëse priten raportet e autopsisë dhe verifikime të tjera për të sqaruar plotësisht ngjarjen. Sipas të dhënave të para, rreth mesditës Minniti ka kryer një bisedë të tensionuar telefonike dhe më pas është larguar me makinë, për t’u gjetur dy orë më vonë në det.
Minniti punonte në sektorin turistik dhe raportimet e afërta flasin për vështirësi ekonomike dhe tensione personale. Vetëm pak javë më parë, ajo kishte ndarë në rrjetet sociale një foto familjare, duke lënë të kuptohej se kërkonte të ruante qetësinë në mes të problemeve.
Hetimet vazhdojnë për të përcaktuar me saktësi motivet dhe dinamiken e ngjarjes së rëndë që ka tronditur zonën e Salentos.
