
Mungesa e barnave kyçe dhe mosfunksionimi i zinxhirit të trajtimit po detyrojnë shumë pacientë shqiptarë me sëmundje tumorale të kërkojnë ndihmë jashtë vendit.
Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit ngre alarmin për trajtimin e pacientëve me tumore në vend. Ndërsa rastet e sëmundjeve tumorale po rriten vit pas viti, numri i diagnozave të vendosura në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza ka rënë ndjeshëm. Vetëm në vitin 2024 janë regjistruar 2024 diagnoza të reja, rreth 45 për qind më pak krahasuar me 2023-shin.
Kjo rënie, sipas KLSH, nuk tregon më pak sëmundje, por më shumë pacientë që nuk diagnostikohen në QSUT ose që largohen jashtë vendit për trajtim, për shkak të mungesës së medikamenteve dhe pasigurisë mbi procesin terapeutik.
Rasti i një fëmije me tumor, të detyruar të marrë trajtim jashtë për mungesë të ilaçit Actinomycin D, ilustron situatën. Edhe pse cikli i parë i trajtimit u sigurua në vend, familja zgjodhi të largohej për shkak të mungesës së vazhdimësisë së terapive. Nga 12 pacientë që kërkonin këtë bar ndërmjet 2020 dhe 2024, 8 janë dërguar jashtë për mjekim.
Përtej sfidave të diagnozës, statistikat e vitit 2024 tregojnë një rritje të lehtë të vdekjeve nga sëmundjet tumorale, me 3374 humbje jete, rreth 1 për qind më shumë se një vit më parë.
Një problem i madh mbetet furnizimi me barna antitumorale. Nga 253 barna të autorizuara për tregtim në Shqipëri, 46 për qind nuk janë importuar asnjëherë gjatë periudhës së auditimit. Sipas KLSH, kjo tregon mungesë mekanizmash të efektshëm që lidhin autorizimin me sigurinë reale të furnizimit në treg.
Raporti nënvizon se mungesa e kontrollit laboratorik të cilësisë, nën-financimi buxhetor, planifikimi i dobët, vonesat proceduriale dhe parregullsitë në administrimin e barnave po e dëmtojnë rëndë zinxhirin e trajtimit të pacientëve me sëmundje tumorale. Këto mangësi, sipas KLSH, përkthehen në një sistem shëndetësor që nuk arrin të përballojë nevojat reale të një prej grupeve më të brishta të pacientëve në vend.
