
Ish-kryeministri ka mbërritur mëngjesin e sotëm në Prokurorinë e Posaçme për të dhënë sqarime në lidhje me dosjen e ngjarjes së vitit 2011, ku mbetën të vrarë katër protestues.
Ish-kryeministri Sali Berisha është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme, ku është thirrur në cilësinë e personit që ka dijeni për çështjen e 21 Janarit. Thirrja e tij vjen në kuadër të hetimeve të zgjeruara që SPAK po kryen mbi trajtimin e ngjarjes dhe zinxhirin e përgjegjësive institucionale të asaj dite.
Berisha mbërriti në ambientet e SPAK rreth orës 09:00, i shoqëruar nga avokatët e tij, ndërsa nuk dha deklarata për mediat. Hetuesit pritet ta pyesin për rolin dhe informacionet që ai ka pasur gjatë ngjarjeve të 21 Janarit 2011, kur protestuesit e opozitës së asaj kohe u përleshën me Gardën e Republikës dhe katër qytetarë mbetën të vrarë.
SPAK prej muajsh po zhvillon veprime hetimore mbi trajtimin e dosjes, urdhrat komandues, përgjegjësitë e strukturave të sigurisë dhe komunikimet e nivelit qeveritar të asaj periudhe. Thirrja e ish-kryeministrit vjen si pjesë e fazës së re të hetimeve, të cilat synojnë të sqarojnë plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe personat përgjegjës.
Burime nga brenda Prokurorisë së Posaçme bëjnë të ditur se hetimet do të vijojnë me pyetje të tjera ndaj zyrtarëve të lartë të kohës, përfshirë drejtues të policisë dhe Gardës. Ende nuk ka informacion nëse Berisha do të thirret sërish.
