
Pas 12 vitesh në pushtet, Partia Socialiste riktheu sërish premtimin e përdorur tradicionalisht në fushata: rritjen e pensioneve.
Gjatë garës për zgjedhjet parlamentare, socialistët u zotuan se “në Shqipërinë e vitit 2030, pensioni mesatar për kontribuuesit me sigurime të plota do të arrijë në 400 euro, ndërsa pensioni minimal në 200 euro”. Ky premtim u bë një nga shtyllat kryesore të fushatës elektorale dhe ndihmoi PS të siguronte 83 mandate. Angazhimi u përfshi më pas edhe në programin qeverisës “Shqipëria 2030”.
Vetëm pak muaj pas zgjedhjeve, paralelisht me diskutimet për projekt-buxhetin 2026, kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale një video, ku njoftoi rritjen e pensioneve. Sipas tij, duke filluar nga janari 2026, pensionet do të kenë një rritje mujore, e cila do të diferencohet sipas kategorive.
