Ashtu siç votuan për largimin e tij nga drejtimi i bashkisë, këshilltarët e majtë dhe të djathtë në Këshillin Bashkiak të Tiranës këtë herë janë sërish në të njëjtën linjë. Të dyja palët kërkojnë që Erion Veliaj të jetë fizikisht i pranishëm në mbledhjen e së premtes. Kërkesa zyrtare është bërë nga këshilltarët e PS pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por edhe PD ka deklaruar hapur se e mbështet këtë prani.
Këshilltari i PD-së në Këshillin Bashkiak, Dorian Teliti, thotë se opozita e kërkon Veliajn në sallë për t’ia thënë në sy çdo akuzë dhe çdo mungesë përgjegjësie për Tiranën.
“Të majtët vetë e larguan dhe vetë po e sjellin për disa orë liri. Opozita nuk është kundër, përkundrazi, të vijë, e duam në sallë t’ia themi në sy. Ata e nxorën nga dera, ndërsa po e fusin nga dritarja” u shpreh Teliti.
Tashmë mbetet në dorën e SPAK dhe të Drejtorisë së Burgjeve të vendosin nëse Veliaj do të lejohet të marrë pjesë fizikisht në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës.
