
Goditja ajrore zhduk kate të tëra banesash, ndërsa 22 persona rezultojnë ende të zhdukur
Një sulm i rëndë ajror rus ka goditur qytetin Ternopil në Ukrainën perëndimore, duke shkaktuar të paktën 26 viktima dhe dhjetëra të plagosur. Ministri i Brendshëm Ihor Klymenko konfirmoi se ekipet e kërkim-shpëtimit kanë punuar gjatë gjithë natës në rrënojat e godinës së shkatërruar, ku ende mungojnë 22 persona.
Sipas autoriteteve ukrainase, Rusia lëshoi natën e sulmit 476 dronë dhe 48 raketa, duke goditur infrastrukturën energjetike dhe rrjetet e transportit në disa rajone, teksa temperaturat në vend janë nën zero. Në Ternopil, shpërthimi shkatërroi katet e sipërme të dy pallateve nëntëkatëshe, duke i lënë banorët të terrorizuar dhe pa strehë.
Zjarret shpërthyen menjëherë pas goditjes, ndërsa njerëzit tentuan të shpëtonin duke u hedhur nga dritaret. Midis viktimave janë konfirmuar edhe tre fëmijë.
Teksa qëndronte pranë rrënojave, Oksana Kobel rrëfeu bisedën e fundit me djalin e saj, i cili ndodhej në katin e nëntë në momentin e sulmit. Ajo kishte dëgjuar shpërthimet teksa ishte në punë dhe e kishte telefonuar për ta paralajmëruar të zbriste në strehim, por nuk ka marrë më asnjë shenjë jete prej tij.
Sulmi shkaktoi reagime edhe jashtë Ukrainës. Polonia, vend anëtar i NATO-s, mbylli përkohësisht aeroportet Rzeszow dhe Lublin, duke ngritur avionë luftarakë në ajër për të mbrojtur hapësirën e saj ajrore.
Goditja e fundit vjen në një moment delikat diplomatik, pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ndodhej në Turqi në një përpjekje për të ringjallur bisedimet e paqes me Rusinë, pas vizitave të tij në disa kryeqytete evropiane.
Autoritetet ukrainase raportuan se infrastruktura energjetike është dëmtuar në shtatë rajone, duke detyruar vendosjen e kufizimeve të menjëhershme të energjisë për qytetarët.
Rusia mohon se sulmon civilë, duke pretenduar se goditjet janë hakmarrje ndaj sulmeve të Ukrainës në territorin rus, përfshirë përdorimin e raketave amerikane ATACMS ndaj objektivave ushtarakë në Voronezh.
Ndërkohë, zona e prekur në Ternopil, një rajon që deri më tani ishte konsideruar i sigurt nga fronti i luftës, shtrihet rreth 200 kilometra nga kufiri polak dhe ka strehuar mijëra qytetarë të zhvendosur nga lindja e Ukrainës.
