
Ish-drejtori i Operacionales pret vendimin përfundimtar për mbi 3 milionë euro pasuri të bllokuara
Ish-drejtori i njësisë Operacionale në Policinë e Shtetit, Oltion Bistri, po vijon betejën ligjore për të rimarrë kontrollin e pasurive të tij, me vlerë të deklaruar mbi 3 milionë euro. Në listën e pasurive të bllokuara përfshihen rreth 20 njësi tregtare, 10 apartamente dhe një vilë, të cilat mbeten nën sekuestro pavarësisht dy vendimeve të mëparshme të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë që liruan pjesërisht disa prej tyre.
Çështja po trajtohet në kuadër të ligjit Antimafia, i cili parashikon konfiskimin e pasurive të personave që dyshohet se kanë lidhje me krimin e organizuar ose korrupsionin. Më herët, një kërkesë e shoqërisë Arlis Ndërtim u pranua duke zhbllokuar disa njësi të prenotuara nga Bistri, por pjesa më e madhe e pasurive mbetet ende në proces verifikimi.
Gjatë seancës së 19 nëntorit, gjyqtarja Irena Gjoka vendosi të vazhdojë shqyrtimin e provave pas vendimit të trupës gjykuese që shpalli Bistrin të pafajshëm për disa prej akuzave. Prokurori Arben Kraja ngriti dyshime mbi burimet e të ardhurave të Bistrit dhe personave të lidhur me të, duke theksuar mungesën e dokumentacionit zyrtar dhe mungesën e transfertave bankare për disa prej transaksioneve të deklaruara.
Mbrojtja e Bistrit paraqiti dokumente shtesë dhe kërkoi që të kryhet analizë e thelluar nga një ekspert i pavarur, me synimin të vërtetohet ligjshmëria e pasurive të tij. Seanca e radhës është caktuar për datën 5 dhjetor, ku pritet të shqyrtohen provat e reja dhe pretendimet e të dyja palëve.
Vendimet e mëparshme që kanë liruar disa pasuri nga sekuestro kanë pezulluar përkohësisht konfiskimin përfundimtar, ndërsa procesi vijon të mbetet një ndër më kompleksët në sistemin e drejtësisë, për shkak të dyshimeve të ngritura lidhur me burimin e pasurimit.
