
Presidenti francez nis një tur kombëtar me debate publike të organizuara nga gazetat rajonale për të adresuar ndikimin e platformave dhe algoritmeve
Presidenti francez Emmanuel Macron ka nisur një fushatë të gjerë kombëtare për të diskutuar me qytetarët rreziqet e botës digjitale dhe ndikimin e rrjeteve sociale. Për këtë iniciativë, ai ka angazhuar drejtpërdrejt mediat lokale, të cilat po marrin përsipër organizimin e debateve dhe takimeve me publikun në disa rajone të vendit.
Pas një aktiviteti të zhvilluar javën e kaluar në Toulouse nga gazeta La Dépêche du Midi, këtë radhë ishte La Voix du Nord që organizoi debatin në Arras, ku Macron diskutoi me lexuesit mbi rolin e algoritmeve, mbrojtjen e të rinjve online dhe sfidat e dezinformimit. Në javët në vijim, të tjera media rajonale si Le Dauphiné libéré, Ouest-France, Centre France dhe Sud Ouest do të zhvillojnë takime të ngjashme, duke i mundësuar presidentit të realizojë një tur të plotë të Francës deri në fund të vitit.
Gjatë takimit në Arras, Macron përsëriti propozimin e tij për vendosjen e një moshe minimale prej 15 vjeç për hyrjen në rrjetet sociale, një masë që, sipas tij, synon të mbrojë të rinjtë nga rreziqet e platformave digjitale. Ai foli gjithashtu për nevojën e krijimit të një etikete profesionale që do të përdoret nga rrjetet sociale dhe mediat online për të dalluar burimet e besueshme nga ato që përhapin lajme të rreme.
Debati u zhvillua në liceun Gambetta, një institucion i shenjuar nga tragjedia e vitit 2023, kur profesori Dominique Bernard u vra nga një ish-nxënës i radikalizuar. Në këtë kontekst, Macron theksoi se siguria digjitale është po aq e rëndësishme sa ajo fizike dhe se dezinformimi online përbën një nga sfidat më të mëdha për demokracinë franceze.
Turit do t’i bashkohen dhjetëra gazeta të shtypit lokal në provinca të ndryshme, duke i dhënë presidentit një tribunë të gjerë për të shpalosur idetë e tij për reformimin e hapësirës digjitale dhe forcimin e kontrollit ndaj platformave të mëdha teknologjike.
