
Botërori i SHBA-Kanada-Meksikë do të jetë më i gjati dhe më i madhi ndonjëherë, me 48 skuadra dhe një sistem të ri grupesh
Pamja e përgjithshme e Kupës së Botës 2026 është thuajse e plotë, pasi 42 përfaqësuese kanë siguruar tashmë pjesëmarrjen në turneun që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë. Edicionik i ri do të ketë 48 ekipe dhe do të zgjasë 39 ditë, duke e bërë turneun më të madh në historinë e FIFA-s.
Gjatë ndeshjeve kualifikuese të nëntorit, disa gjigantë europianë si Franca, Gjermania, Holanda, Portugalia dhe Spanja siguruan biletën për Botëror, ndërsa surpriza më e madhe vjen nga Karaibet: Curaçao, vendi më i vogël ndonjëherë që kualifikohet për Kupën e Botës, pas një barazimi 0-0 ndaj Xhamajkës.
Nga Amerika Qendrore e Karaibet u kualifikuan gjithashtu Haitit dhe Panama, ndërsa Skocia u rikthye në Botëror pas 27 vitesh me një fitore dramatike 4-2 ndaj Danimarkës.
Gjashtë vendet e fundit do të vendosen në mars të vitit 2026 përmes play-off-eve ndërkontinentale dhe atyre të UEFA-s.
Turneu do të nisë më 11 qershor në Mexico City dhe do të mbyllet më 19 korrik në New Jersey, SHBA. FIFA ka konfirmuar se shorti i fazës së grupeve do të hidhet më 5 dhjetor 2025 në Washington DC.
Për shkak të zgjerimit, Botërori i 2026-s do të ketë 12 grupe me nga katër skuadra, dhe për herë të parë do të zhvillohet një fazë me 32 ekipe në raundin e eliminimit direkt.
SHBA do të organizojë ndeshje në 11 qytete, ndërsa Kanadaja dhe Meksika do të presin secila nga 13 takime. Finalja pritet të luhet në stadiumin MetLife në New Jersey.
Lista e ekipeve të kualifikuara tashmë përfshin:
Amerikën e Jugut: Argjentina, Brazili, Kolumbia, Ekuadori, Paraguai, Uruguai
Amerikën e Veriut dhe Karaibe: Kanada, SHBA, Meksikë, Curaçao, Haitit, Panama
Europa: Austria, Belgjika, Kroacia, Anglia, Franca, Gjermania, Holanda, Norvegjia, Portugalia, Skocia, Spanja, Zvicra
Afrika: Algjeria, Kepi i Gjelbër, Egjipti, Gana, Bregu i Fildishtë, Maroku, Senegali, Afrika e Jugut, Tunizia
Azia: Australia, Irani, Japonia, Jordania, Katari, Arabia Saudite, Koreja e Jugut, Uzbekistani
Oqeania: Zelanda e Re
Në play-off ndërkontinental do të garojnë Xhamajka, Surinami, Iraku, Republika Demokratike e Kongos, Bolivia dhe Kaledonia e Re, ku vetëm dy prej tyre do të shkojnë në Botëror.
Në Evropë, 16 përfaqësuese – mes tyre Shqipëria, Kosova, Italia, Suedia, Polonia dhe Ukraina – do të luftojnë në mars për katër vendet e fundit europiane në Kupën e Botës.
Me një format të ri, tre vende pritëse dhe një rekord pjesëmarrësish, Botërori 2026 pritet të shënojë një epokë të re për futbollin ndërkombëtar.
