
Uji deri në bel, tualete që derdhen, shkolla të shkatërruara dhe rrezik shpërthimi sëmundjesh në rajonin e Kihotos
Liqeni Naivasha në Kenia ka shkaktuar një nga përmbytjet më të rënda të dekadës, duke detyruar rreth 7 mijë banorë të braktisin shtëpitë e tyre. Mjetet turistike, që zakonisht përdoren për shëtitje mbi liqen, janë kthyer në mjete shpëtimi, duke nxjerrë nga banesat e përmbytura qindra familje të rajonit Kihoto.
Sipas autoriteteve lokale, niveli i liqenit është rritur me ritme të paprecedenta, duke avancuar 1.5 kilometra brenda tokës dhe duke përmbytur plotësisht qindra shtëpi, kisha dhe madje edhe komisariate policie. Në shumë ndërtesa, niveli i ujit arrin deri në bel, ndërsa banorët raportojnë tualete të mbushura, ujë të ndenjur dhe përhapje sëmundjesh.
Banorja Rose Alero, 51 vjeçe, tha se kjo është përmbytja më e rëndë që kanë përjetuar ndonjëherë. Fëmijët e një shkolle u detyruan të largoheshin me varka të improvizuara kur përmbytjet u përshpejtuan brenda pak minutash.
Drejtoria e menaxhimit të emergjencave në qarkun Nakuru njofton se situata është e rrezikshme si për komunitetin, ashtu edhe për faunën e zonës. Përveç rrezikut të kolerës dhe shembjeve të tokës, autoritetet paralajmërojnë edhe përballje të mundshme me hipopotamë, që janë shtuar pranë zonave të banuara për shkak të përmbytjeve.
Ekspertët theksojnë se fenomeni nuk lidhet vetëm me reshjet intensive të shkaktuara nga ndryshimet klimatike, por edhe me lëvizjet tektonike, pasi liqenet e Luginës së Riftit ndodhen mbi një çarje të madhe gjeologjike. Sipas gjeologut kenian John Lagat, tektonika ka ndryshuar rrjedhat nëntokësore për dekada, duke bllokuar daljet natyrore të ujit.
Megjithatë, rritja e reshjeve dhe degradimi i tokës mbeten faktorët kryesorë në përkeqësimin e përmbytjeve. Në disa ditë, niveli i liqenit është rritur deri në një metër në ditë, duke fshirë zona të tëra banimi.
Banorët e Kihotos thonë se janë të frikësuar nga sezoni i ardhshëm i shirave, pasi tashmë nuk kanë ku të zhvendosen. Ndërkohë, autoritetet kanë ofruar transport dhe masa shëndetësore, por kompensimet financiare ende nuk janë planifikuar.
Me përmbytjet që vazhdojnë të prekin disa prej liqeneve kryesore të Luginës së Riftit, kriza humanitare pritet të zgjerohet në javët në vijim.
