
Përveç pezullimit nga detyra, Ballukut i ndalohet edhe largimi nga Shqipëria, me dy masa sigurie të vendosura nga gjyqtari Erion Çela
Gjykata e Posaçme ka vendosur dy masa sigurie ndaj zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku, duke e pezulluar nga ushtrimi i detyrës dhe duke i ndaluar udhëtimin jashtë vendit. Vendimi është marrë nga gjyqtari Erion Çela, pas kërkesës së prokurorit të SPAK, Dritan Premci.
Sipas burimeve hetimore, masat janë vendosur për të shmangur ndikimin e mundshëm të Ballukut në procesin hetimor, sidomos në administrimin e dokumenteve zyrtare dhe komunikimet brenda institucioneve të infrastrukturës. Hetimi i SPAK lidhet me një sërë kontratash publike, procedura të dyshuara të favorizimit të kompanive private dhe shkelje në menaxhimin e fondeve të projekteve infrastrukturore.
Pezullimi nga detyra dhe ndalimi i udhëtimit jashtë shtetit shënojnë një prej lëvizjeve më të forta ligjore ndaj një zyrtareje të nivelit të lartë të qeverisë aktuale. Vendimi i gjykatës pritet të pasohet me veprime të tjera hetimore, ndërsa SPAK pritet të publikojë detaje të reja në ditët në vijim.
Institucionet qeveritare nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar për vendimin e Gjykatës së Posaçme.
