
Një plan i hartuar nga të dërguarit e Tramp dhe Putin i jep përparësi kërkesave ruse, ndërsa Zelensky dobësohet nga një skandal korrupsioni në rrethin e tij të ngushtë
Sipas burimeve diplomatike, Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini kanë nisur një raund të ri negociatash për përfundimin e luftës në Ukrainë, pa përfshirë vendet evropiane dhe as vetë Kievin në procesin fillestar. Lëvizja është zbuluar pasi administrata e presidentit amerikan Donald Tramp i transmetoi Ukrainës një draft-marrëveshje të re, e hartuar në bashkëpunim me përfaqësuesit e Vladimir Putinit.
Plani, i përpiluar gjatë një vizite të emisarit rus Kirill Dmitriev në SHBA në muajin tetor, është negociuar në mënyrë të drejtpërdrejtë midis të dërguarit amerikan Steve Witkoff dhe përfaqësuesit të Kremlinit. Drafti prej 28 pikësh, i cili doli në media përmes një rrjedhje informacioni, përfshin kërkesa të forta ruse për sigurinë në kontinent dhe kushtëzime që konsiderohen tepër të rënda nga Kievi.
Ukraina ka konfirmuar se ka marrë zyrtarisht dokumentin, por ka theksuar se nuk është konsultuar paraprakisht për asnjë nga pikat e tij. Situata vjen në një moment të ndjeshëm politik për presidentin Volodymyr Zelensky, i cili po përballet me një skandal korrupsioni brenda ekipit të tij të afërt, duke dobësuar pozitat e tij në arenën ndërkombëtare.
Detajet e planit nuk janë publikuar plotësisht, por sipas rrjedhjeve të para, ai parashikon konsesione të rëndësishme territoriale dhe sigurie për Moskën, duke krijuar shqetësime të thella në kryeqytetet evropiane. Diplomacia e BE është vënë në alarm, pasi marrëveshjet dypalëshe SHBA-Rusi jashtë strukturave tradicionale të aleancës rrezikojnë të anashkalojnë pozicionet e Evropës dhe të dobësojnë unitetin perëndimor.
Witkoff ka lënë të kuptohet në një postim të fshirë shpejt në rrjetin X se rrjedhja e planit mund të ketë ardhur nga pala ruse, ndërsa Kremlini nuk ka komentuar publikisht.
Evropa, e cila ka qenë mbështetësi kryesor financiar dhe ushtarak i Ukrainës, është vendosur përballë faktit të kryer dhe kërkon sqarime urgjente nga Uashingtoni. Ndërkohë, Ukraina ka deklaruar se çdo proces pa pjesëmarrjen e saj të drejtpërdrejtë është i papranueshëm.
