
Historianët e cilësojnë gjyqin si pikë kthese për drejtësinë ndërkombëtare dhe lindjen e konceptit modern të krimeve kundër njerëzimit
Më 20 nëntor 1945, në Nuremberg të Gjermanisë, nisi një nga proceset më të rëndësishme gjyqësore të shekullit XX: gjykimi i 21 zyrtarëve të lartë nazistë të regjimit të Hitlerit. Midis të pandehurve ishin figura kyçe të makinerisë naziste, si Hermann Göring, themeluesi i Gestapos, dhe Joachim von Ribbentrop, ministri i jashtëm i Reich-ut. Pas një procesi që zgjati deri në tetor 1946, 12 prej të akuzuarve u dënuan me vdekje.
Sipas historianeve dhe ekspertëve të drejtësisë ndërkombëtare, Nurembergu përbën një moment themelor, pasi për herë të parë udhëheqësit e një shteti u thirrën në llogari për krimet e kryera gjatë ushtrimit të pushtetit të tyre. Procesi shënoi lindjen e nocioneve si krimi kundër njerëzimit, i cili përfshin vrasjen, përndjekjen, skllavërimin, deportimin dhe shfarosjen e civilëve.
Historiania Sylvie Lindeperg thekson se ky proces vendosi parimin se asnjë zyrtar, pavarësisht rangut, nuk mund të jetë mbi ligjin. Megjithëse termi gjenocid ishte sapo futur në diskursin juridik, në sallën e gjyqit ai u përdor rrallë, por debati që u hap në Nuremberg do të shërbente si bazë për konventat ndërkombëtare të viteve në vijim.
Nurembergu u bë gjithashtu një laborator i hershëm për dokumentimin filmik të krimeve të kryera, duke krijuar arkiva që sot mbeten themelore për të kuptuar brutalitetin e regjimit nazist dhe për të ndërtuar mekanizma të rinj juridikë kundër krimeve të luftës.
Tetë dekada më vonë, trashëgimia e procesit vazhdon të ndikojë gjykatat ndërkombëtare, tribunale të posaçme dhe konceptin e përgjegjësisë penale të liderëve botërorë, duke e bërë atë një nga gurët më të rëndësishëm të themelit të drejtësisë moderne.
