
CIA është alarmuar pasi ambasadori Mike Huckabee u takua fshehurazi me ish-zyrtarin amerikan të dënuar për spiunazh në favor të Izraelit, shkelje e një praktike të vjetër të diplomacisë amerikane.
Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se nuk ishte në dijeni të takimit që ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, zhvilloi me Jonathan Pollard, një ish-analist i marinës amerikane i dënuar për spiunazh në favor të Izraelit. Zëdhënësja Karoline Leavitt tha se administrata nuk kishte marrë paralajmërim për këtë takim, por se presidenti Trump vazhdon të mbështesë ambasadorin e tij.
Sipas raportimit të The New York Times, takimi u zhvillua në korrik brenda ambasadës amerikane në Jerusalem dhe nuk ishte i përfshirë në axhendën zyrtare të Huckabee-t. Takimi ndodhi pa dijeninë e agjencive të inteligjencës amerikane, gjë që ka shkaktuar shqetësim të thellë brenda CIA, pasi shkel normën e moskomunikimit me persona të dënuar për spiunazh kundër SHBA.
Pollard u dënua në vitin 1987 me burgim të përjetshëm për kalimin e mijëra dokumenteve sekrete në duart e Izraelit. Ai u lirua me kusht pas 30 vitesh dhe u shpërngul në Izrael në vitin 2020, ku prej shumë personash konsiderohet hero kombëtar.
Në një intervistë televizive, Pollard u shpreh se takimi ishte kërkuar prej tij për t’i shprehur falënderime Huckabee-t për mbështetjen gjatë viteve në burg. Por ai pretendoi se dikush brenda CIA ka nxjerrë informacionet për ta diskredituar ambasadorin.
Ende nuk dihet nëse Huckabee ka kërkuar miratimin e administratës Tramp përpara takimit. Ndërkohë, raportimet tregojnë se CIA e ka konsideruar këtë veprim si një devijim të rrezikshëm nga praktikat e sigurisë kombëtare.
Pollard ka sulmuar gjithashtu disa figura të administratës Tramp, përfshirë Jared Kushner dhe Steve Witkoff, për rolin e tyre në negociatat e paqes lidhur me luftën në Gaza.
