Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Orges Bilbilit dhe Anterio Kaloshit, duke lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për masakrën e vitit 2017 në Lushnjë.
Bilbili, Kaloshi dhe Laert Haxhiu akuzohen për vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës, si dhe plagosjen e Marjus Xhepexhiut dhe Bujar Turkut. Për Haxhiun, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm në dy shkallë, pritet shqyrtimi i rekursit të tij në Gjykatën e Lartë. Haxhiu u ekstradua nga Greqia më 3 korrik të vitit të kaluar, një vit pas arrestimit në shtetin fqinj.
Hetimet ndaj grupit nisën pas bashkëpunimit të Artan Tafanit, i arrestuar më parë për grabitje në zonën e Astirit, i cili zbuloi të paktën gjashtë ngjarje kriminale ku Laert Haxhiu kishte rol si organizator, pjesëmarrës ose porositës.
Anterio Kaloshi u arrestua më 13 gusht 2020, pasi qëlloi me armë zjarri në drejtim të hotel “Voloreka” në Pogradec dhe ishte shpallur në kërkim për masakrën e Lushnjës. Ndërkohë, Orgest Bilbili u kap më 10 prill 2020 në zonën e Xhamllikut në Tiranë, duke u plagosur gjatë përpjekjes për t’u larguar.
Hetuesit nënvizojnë se shënjestër në masakrën e Lushnjës ishte nipi i Aldo Bares, Xhulio Shkurti, i cili shpëtoi pasi u ngrit nga tavolina pak minuta më parë.
