Shumeet Banerji largohet pas polemikave mbi menaxhimin në nivel të lartë dhe pas dorëheqjes së drejtuesve kryesorë të BBC-së

Një tjetër lëkundje godet BBC-në, pasi anëtari i bordit Shumeet Banerji ka dhënë dorëheqjen duke ngritur shqetësime për “probleme të qeverisjes” në nivelet më të larta të korporatës. Largimi i tij vjen vetëm pak javë pas dorëheqjes së drejtorit të përgjithshëm Tim Davie dhe drejtoreshës ekzekutive të BBC News, Deborah Turness, pas debatit të ashpër të shkaktuar nga mënyra e montimit të dokumentarit Panorama për Donald Trump.
Sipas BBC News, Banerji ka deklaruar në një letër se nuk ishte konsultuar për zhvillimet që çuan në largimin e dy drejtuesve kryesorë, duke i konsideruar ato si tregues të mangësive serioze në proceset e qeverisjes së brendshme të BBC-së.
“Mandati i z. Banerji në Bord, si drejtor joekzekutiv, do të përfundonte në fund të dhjetorit dhe e falënderojmë për shërbimin e tij,” u shpreh një zëdhënës i BBC-së. Ai shtoi se procesi për gjetjen e pasuesit ka nisur dhe se njoftime të tjera do të publikohen së shpejti.
Shumeet Banerji u emërua në bordin e BBC-së në janar 2022 si një nga anëtarët joekzekutivë, me mandatin e parashikuar të përfundonte më 31 dhjetor të këtij viti. Dorëheqja e tij shton presionin mbi BBC-në, e cila tashmë ndodhet nën vëzhgim të fortë publik për mënyrën e funksionimit dhe transparencën e saj të brendshme.
