Ilir Alimehmeti ka vijuar me kritikat ndaj PD, duke theksuar se opozita nuk mjafton të zbulojë probleme, por duhet të ofrojë frymëzim dhe zgjidhje konkrete për qytetarët.
Në një intervistë në News24, Alimehmeti tha se PD nuk mund të rikthehet në pushtet vetëm duke ekspozuar fakte, pasi këtë mund ta bëjnë edhe forcat e vogla politike. Ai nënvizoi se dallimi i vërtetë që duhet të bëjë opozita është të ndërtojë një platformë të qartë qeverisëse.
“Opozita bëri foltore para kryeministrisë. Por protestat duhet të jenë të qëndrueshme dhe të vazhdueshme. Ne kemi një qëndrim grupi dhe një vendim. Nuk është vetëm opozita, por është edhe puna e organizimi për të qenë alternative qeverisëse. Kjo do të thotë që të frymëzosh edhe njerëzit, opozita duhet të jetë e vazhdueshme, e shkëlqyer dhe me alternativa, me veprime të forta. Nuk mjafton vetëm denoncimi, duhet të ketë edhe aksione në rrugë, unë për këtë jam”, tha Alimehmeti.
Ai gjithashtu nënvizoi se edhe formati i foltores para Kryeministrisë duhet të jetë më i qartë. Ai kërkoi që opozita të ketë frymë dhe të riorganizohet, që qytetarët të mos kenë dyshime të figurat e saj.
“Formati i parë i protestës ishte i paqartë, kohëzgjatja, aksioni, unë jam për ato të vazhdueshme. Kjo për të ngritur frymën opozitare dhe për të ngritur kualitetin dhe alternativën qeverisëse. PD i ka të gjitha mundësitë për të qenë alternativë qeverisëse por ka nevojë për një riorganizim. Nuk ka numrat opozita por është e mundshme alternativa, por Rama është i mundshëm dhe ndaj mendoj se duhet riorganizim strukturash me të gjithë individët. Qytetarët nuk duhet të kenë dyshime të figurat tona kur të përballemi me ta e të kërkojmë ndjekjen prej tyre si alternativë”, tha ai.
