Në 117-vjetorin e tij, nderojmë Kongresin e Manastirit (14–22 nëntor 1908), një ngjarje historike që vendosi alfabetin e njësuar të shqipes dhe u bë themel për identitetin kulturor e gjuhën kombëtare. Ky kongres, i njohur edhe si Kongresi i Alfabetit, u mbajt në qytetin e Manastirit (sot Bitola, Maqedonia e Veriut).
Në të morën pjesë 50 delegatë nga trevat shqiptare dhe arbëreshët e Italisë, mes tyre shkrimtarë, gazetarë, mësues dhe veprimtarë të njohur kulturorë e politikë, për të vendosur për fatin gjuhësor të kombit. Kongresi zgjodhi një komision prej 11 anëtarësh, përfaqësues të elitës intelektuale dhe figura të rëndësishme kombëtare.
🖋️
Pas diskutimeve të shumta u miratua një alfabet i ri, i mbështetur në alfabetin latin, i plotësuar me nëntë dyshkronjësha (dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, xh, zh) dhe dy shkronja me shenja diakritike (ç, ë). Komisioni vendosi gjithashtu të lejojë përdorimin paralel të alfabetit të Stambollit, për shkak të përhapjes së tij ndër shqiptarët.
📚
Ky vendim ishte kurorëzimi i përpjekjeve shumëvjeçare për unifikimin gjuhësor dhe kulturor mbarëkombëtar. Kongresi hartoi edhe një program me 18 kërkesa politike, kulturore dhe arsimore, ku më të rëndësishmet ishin arsimi fillor në gjuhën shqipe dhe themelimi i një universiteti shqiptar.
📖 Burimi nga:
Mahir Domi, Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Nr. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, faqe 1258-1259.
🇦🇱 Alfabeti – themeli i kombit.
📅 14–22 nëntor: ditët që ndryshuan historinë tonë.
#KongresiManastirit #AlfabetiShqip #HistoriaShqiptare #IdentitetiKombëtar #MuzeuHistorikKombëtar
