Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka sulmuar qeverinë e Ukrainës. Gjithashtu Trump akuzoi edhe Evropën ku sipas tij kjo e fundit vijon të blejë naftë nga Rusia.
“Udhëheqja’ e Ukrainës nuk ka treguar asnjë mirënjohje për përpjekjet tona, ndërsa Europa vazhdon të blejë naftë nga Rusia”, shkroi fillimisht presidenti i SHBA-ve, teksa në Gjenevë janë në zhvillim diskutimet për planin me 28 pika që ai vetë ka paraqitur.
Në postimin në platformën e tij Truth Social bie në sy fakti që Trump e vendos në thonjëza fjalën “udhëheqja”, duke iu referuar drejtpërdrejt Volodimir Zelenskyt.
Pjesa tjetër e postimit përsërit pretendime që i kemi dëgjuar nga Trump edhe më herët, përfshirë deklaratën se lufta nuk do të kishte nisur kurrë nëse ai do të ishte president, si edhe kritikën ndaj Joe Bidenit.
Po ashtu, ai rikujton kritikat e bëra pas takimit të tensionuar me Zelenskyn në Zyrën Ovale më herët këtë vit, ku e qortoi Zelenskyn përpara mediave ndërkombëtare.
