
Sinoptikania paralajmëron një javë me luhatje të forta, reshje të dendura dhe temperatura që zbresin nën zero
Javën që sapo nisëm e shoqërojnë ndryshime të shpejta të motit, ku pas kthjellimeve të mëngjesit pritet që reshjet të rikthehen gradualisht në pjesën e dytë të ditës. Sipas sinoptikanes Lajda Porja, pauza e reshjeve ka ndihmuar në tërheqjen e ujërave në zonat e përmbytura, por qetësia nuk do të zgjasë shumë.
Ditën e nesërme parashikohen vranësira në rritje dhe reshje të shumta pothuajse në të gjithë vendin. Intensiteti pritet të shtohet nga mesdita e deri në orët e vona të natës, ndërsa rrebeshet më të forta do të shfaqen në jug dhe juglindje.
Në zonat malore të thella priten reshje dëbore dhe ulje temperaturash deri në minus dy gradë. Megjithatë, pas kësaj rënieje të fortë, pritet një rritje graduale e temperaturave në ditët në vijim, megjithëse reshjet e shiut do të mbeten të pranishme në pjesën më të madhe të territorit.
Nga e marta në mbrëmje deri të mërkurën priten episode me reshje më të rënduara, ndërsa pjesërisht do të vijojnë edhe të enjten. Qarku i Shkodrës dhe Lezhës pritet të përballet sërish me sasi të larta reshjesh, duke mbajtur në gatishmëri strukturat lokale.
