
Hetimet e SPAK dhe analiza e dokumenteve nxjerrin në pah një model të përsëritur kontrolli, skualifikimesh masive dhe bashkimesh të dirigjuara kompanish në garat 450 milionë euro
Hetimet ndaj ministres së pezulluar Belinda Balluku po zbulojnë një mekanizëm të sofistikuar përzgjedhjeje të fituesve në tenderët e Unazës së Madhe të Tiranës; projekti më i kushtueshëm rrugor i kryeqytetit. Në gjysmën e procedurave, konkurrenca ka qenë virtuale: një garues i vetëm i kualifikuar dhe oferta pothuajse identike me fondin limit.
Sipas dokumenteve të SPAK, më 10 shtator 2021, vetëm pesë ditë para mbylljes së ofertave, Balluku thirri urgjentisht në zyrë kreun e ARRSH-së, Evis Berberin. Dy orë pas takimit, komunikimet mes tyre zbuluan rolin e ministres në orientimin e kompanive drejt një bashkimi të vetëm. Mesazhet “prit pak Ilir Shtufin” dhe “shkon me EUT, mos më dil në vend tjetër” janë konsideruar provë direkte e ndikimit në formimin e bashkimit fitues.
Katër ditë më vonë, kompanitë që u orientuan përmes mesazheve krijuan ortakëri dhe fituan Lotin 4 të Unazës së Jashtme, me një fond 2.5 miliardë lekë. Prokuroria thotë se skualifikimi i të gjithë rivalëve dhe tolerimet për ofertuesit e parapërcaktuar tregojnë qartazi se gara ishte një formalitet.
Analiza e BIRN për 45.9 miliardë lekët e ndara për Unazën e Madhe konfirmon se tenderat janë zhvilluar sipas të njëjtit model: oferta pranë 100% të fondit limit, mungesë reale gare, kompani që hyjnë pa dokumente bazë dhe skualifikime masive për gabime të përsëritura. Në disa raste, operatorë të mëdhenj dorëzonin dokumente të paplota, duke krijuar iluzion pjesëmarrjeje, ndërsa fituesit kalonin pa konkurrencë.
Ekspertë të prokurimit publik e quajnë këtë strukturë të ngjashme me “bid rigging”, një ndarje tregu mes operatorëve të mëdhenj, ku secili merr segmentin e vet pa e ulur çmimin. Sipas Zef Preçit dhe Eduart Gjokutajt, modeli ka shkaktuar dëm financiar nga 30 deri në 60 milionë euro dhe ka ulur konkurrencën përmes procedurave të kontrolluara, licencave të kërkuara në mënyrë të pazakontë dhe tolerimit të ofertave të paplota.
SPAK akuzon Ballukun dhe zyrtarët e ARRSH-së për krijimin e avantazheve të paligjshme ndaj bashkimit të operatorëve fitues. Ministrja është pezulluar nga detyra dhe ndaluar të udhëtojë jashtë vendit, ndërsa procedurat e tjera të Unazës së Madhe po kontrollohen për të njëjtat shenja paracaktimi.
Kjo nuk është akuza e parë ndaj saj: një procedurë e ngjashme është dokumentuar edhe tek tenderi i tunelit të Llogarasë. Sipas ekspertëve, praktika e skualifikimeve masive dhe një garuesi të vetëm është shndërruar në normë, duke sjellë humbje të mëdha për buxhetin dhe duke minuar besimin në sistemin e prokurimeve publike.
Modeli i tenderëve me rrotacion, oferta pranë 100% të fondit limit dhe roli i mesazheve të datës 10 shtator 2021 janë sot në qendër të një prej dosjeve më të mëdha të korrupsionit publik në vend.
