
Bisedimet në Gjenevë prodhojnë një draft të rafinuar, por aleatët europianë paralajmërojnë se vendimet që prekin BE dhe NATO nuk miratohen pa to
Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës në Gjenevë kanë sjellë një version të përditësuar të planit të paqes të propozuar nga Presidenti amerikan Donald Tramp, pas kritikave se drafti fillestar favorizonte Moskën dhe cënonte vijat e kuqe të Kievit dhe aleatëve të tij.
Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe shefi i kabinetit presidencial ukrainas Andriy Yermak e përshkruan takimin si jashtëzakonisht produktiv, duke theksuar se palët kanë afruar qëndrimet dhe kanë vendosur hapa të qartë përpara. Në deklaratën e përbashkët theksohet se marrëveshja e ardhshme duhet të garantojë plotësisht sovranitetin e Ukrainës dhe të sigurojë paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.
Megjithatë, detajet e draftit të ri nuk janë bërë publike. Rusia e kishte pritur mirë versionin e parë të planit, duke e cilësuar si bazë për një marrëveshje, ndërsa disa vende europiane e kundërshtuan hapur.
Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, paralajmëroi se ka çështje madhore të pazgjidhura dhe sqaroi se çdo vendim që prek BE-në apo NATO do të merret vetëm nga anëtarët përkatës, paralajmërim i drejtpërdrejtë ndaj presioneve për të pranuar draftin amerikan.
Hungaria, nga ana tjetër, e afërt me Moskën, akuzoi aleatët perëndimorë se po përpiqen të bllokojnë planin, duke deklaruar se politikanët europianë kanë detyrimin ta mbështesin pa kushte.
Atmosfera u tensionua më tej pas deklaratave të Trump, i cili akuzoi Kievin se nuk kishte treguar mirënjohje për përpjekjet amerikane. Vetëm pak orë më vonë, Zelenskyy u shpreh se Ukraina i është mirënjohëse SHBA, popullit amerikan dhe personalisht Presidentit Tramp, duke synuar të qetësonte situatën.
Ndërkohë, lufta në terren vazhdon. Nëse progresi në negociata do të vazhdojë me të njëjtin ritëm, Zelenskyy mund të vizitojë Shtëpinë e Bardhë brenda javës, nëse shfaqet mundësia reale për një marrëveshje.
Tensionet diplomatike, presionet politike dhe sulmet e vazhdueshme në Ukrainë po formëzojnë një moment kritik në përpjekjet për t’i dhënë fund një konflikti pothuajse katërvjeçar.
