Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet mbi vrasjen e biznesmenit Eduard Reçi, ngjarje e ndodhur më 13 nëntor 2024 dhe ka ccuar në gjyq dy vëllezërit Shkëlqim Dukaj, 48 vjeç, oficer policie dhe Florian Dukaj, 45 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Nga hetimet rezulton se Shkëlqim Dukaj e ka kryer vrasjen me paramendim për interes pasuror, pra e ka marë vendimin për kryerjen e vrasjes me qetësi së bashku me vëllanë e tij, duke përgatitur së bashku planin kriminal për realizimin e saj.
Sipas Prokurorisë, ai ka parashikuar të gjitha rrethanat për realizimin e vrasjes që lidhen me: përgatitjen për të patur saktësi në realizimin e vrasjes duke bërë qitje në poligon, sigurimin e armës dhe dylbive për realizimin e vrasjes natën dhe në distancë, zgjedhjen e vendit të kryerjes së krimit me qëllim që të realizonte vrasjen dhe të mos ekspozohej, nxjerjen në pritë të viktimës nëpërmjet hedhjes së fishkezjarëve në oborrin e lokalit të tij, kryerjen e krimit me fshehtësi dhe marrjen e masave për t’iu shmangur përgjegjësisë penale.
