Operacioni “Masa” çon në arrestimin e dy autorëve dhe sekuestrimin e automjetit e veshjeve të përdorura për maskim; një bashkëpunëtor vijon të kërkohet
Në Durrës është finalizuar operacioni policor i koduar “Masa”, pas zbulimit të një skeme vjedhjesh të kryera nga një 29-vjeçar që kishte thyer masën e sigurisë arrest në shtëpi. Arbër Tivari, i dënuar më parë dhe nën arrest shtëpie prej vitit 2022, akuzohet se dilte natën për të kryer vjedhje nëpër lokale, në bashkëpunim me dy persona të tjerë.
Policia bëri të ditur se Tivari dhe bashkëpunëtori i tij Marjo Çelpica, 30 vjeç, vodhën sende me vlerë rreth 3 milionë lekë të vjetra në një lokal në lagjen nr. 18 të qytetit. Të dy u identifikuan dhe u arrestuan pas një pune të detajuar hetimore nga specialistët e Komisariatit të Durrësit.
Gjatë operacionit u sekuestrua edhe automjeti i përdorur për transportimin e sendeve të vjedhura, si edhe veshjet që autorët mbanin për t’u maskuar gjatë kryerjes së vjedhjeve. Ndërkohë, po vijon puna për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorit të tretë, i cili dyshohet se ka marrë pjesë në të njëjtat ngjarje.
Prokuroria e Durrësit ka marrë në dorë materialet për vijimin e hetimeve dhe dokumentimin e plotë të veprave penale, ndërsa po verifikohen edhe vjedhje të tjera të mundshme të kryera nga i njëjti grup.

