
Autoritetet greke e cilësuan të rrezikshëm për rendin dhe sigurinë, ndërsa Hoxha thotë se vendimi ka motive politike të lidhura me denoncimet e tij
Gazetari investigativ Artan Hoxha është shpallur “person non grata” nga autoritetet greke dhe nuk do të lejohet më të hyjë në Greqi për një afat të pacaktuar. Vendimi i është komunikuar të martën në pikën kufitare të Kakavijës, ku ai po udhëtonte drejt Janinës. Pas kontrollit të pasaportës, policia kufitare e ndaloi për rreth një orë dhe më pas i dorëzoi dokumentin që e përjashton nga territori helen.
Në njoftimin zyrtar, Hoxha është klasifikuar si person i padëshirueshëm dhe i rrezikshëm për rendin publik, sigurinë e brendshme dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të një ose më shumë shteteve të Bashkimit Europian. Policia greke i vuri gjithashtu një kryq mbi vulën e pasaportës dhe e urdhëroi të largohej menjëherë nga Greqia.
Ky veprim vjen pas rasteve të ngjashme ndaj gazetarëve shqiptarë, përfshirë ndalimin e hyrjes për Marin Memën. Hoxha pretendon se vendimi është marrë që në fillim të vitit 2024, gjatë fushatës për zgjedhjet europiane, kohë kur ai publikoi investigime mbi kandidaturën e Fredi Belerit të partisë Nea Dimokratia, duke trajtuar aktivitetet e tij të kaluara dhe lidhjet e dyshuara me persona të dënuar në Greqi.
Prej më shumë se dy dekadash, Hoxha ka botuar materiale investiguese mbi marrëdhëniet shqiptaro–greke dhe çështjet e sigurisë kombëtare, nga skandali i varrezave ushtarake te rastet e zhvarrimeve të dyshimta në jug të vendit dhe ngjarja e Bularatit. Sipas tij, masat e marra nga Athina kanë motiv politik dhe synojnë të pengojnë gazetarët që ekspozojnë veprimtari të paligjshme me ndikim mbi interesat shqiptare.
Rasti ka rihapur debatin mbi lirinë e medias, marrëdhëniet mes dy vendeve dhe përdorimin e masës “non grata” ndaj gazetarëve që kryejnë investigime në çështje sensitive.
