
UGSH dënon masën ekstreme të Greqisë dhe i kërkon Ministrisë së Jashtme shqiptare të kërkojë shpjegime zyrtare, ndërsa rritet shqetësimi për presionet ndaj gazetarëve shqiptarë
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar ashpër ndaj vendimit të autoriteteve greke për shpalljen e gazetarit investigativ Artan Hoxha si person të padëshirueshëm dhe të ndaluar për të hyrë në territorin grek. Vendimi iu komunikua gazetarit në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, ku iu dorëzua një dokument zyrtar që e cilëson si rrezik për sigurinë e brendshme të një shteti të Bashkimit Europian.
Sipas UGSH, ky është një akt ekstrem dhe i pajustifikuar, që shton rastet e gazetarëve shqiptarë të ndaluar në Greqi. Në dokumentin e lëshuar nga policia kufitare greke, arsyeja e ndalimit është shprehur thjesht si cenim i sigurisë së brendshme të BE, pa dhënë asnjë argument specifik apo provë. Hoxha nuk ka pasur asnjëherë procedim penal në Greqi apo në ndonjë shtet të BE-së.
Rasti vjen në të njëjtën linjë me ndalimet e mëparshme ndaj gazetarëve si Marin Mema dhe Enrik Mehmeti, ndërsa UGSH shprehet se gazetarë të tjerë shqiptarë vazhdojnë të pengohen në kufijtë grekë pa asnjë shpjegim zyrtar, duke u mbajtur në intervistime të zgjatura vetëm për shkak të profesionit dhe raportimeve të tyre.
Unioni dyshon se këto vendime janë të nxitura nga grupe ekstremiste nacionaliste dhe elementë politikë brenda Greqisë, të cilët tentojnë të penalizojnë gazetarët shqiptarë që raportojnë për çështje historike, shkelje ndaj komunitetit shqiptar dhe afera të individëve të radikalizuar të minoritetit etnik me lidhje politike.
UGSH i kërkon Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë të ndërhyjë menjëherë pranë autoriteteve greke dhe të kërkojë shpjegime të plota për këtë praktikë të përsëritur ndaj gazetarëve shqiptarë. Sipas Unionit, këto masa përbëjnë cenim të lirisë së qarkullimit, të së drejtës për informim dhe të fjalës së lirë, duke krijuar një precedent të rrezikshëm në rajon.
Organizata thekson se do të kërkojë solidaritet ndërkombëtar dhe reagim nga rrjetet ndërkombëtare të gazetarëve, duke e cilësuar rastin Hoxha si provë alarmante të përpjekjeve për të frenuar gazetarinë kritike shqiptare në territorin grek.
