
Policia australiane kërkon dy të dyshuar pasi i riu u gjet i plagosur për vdekje në zonën e Rouse Hill, pranë dy shkollave publike
Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën Bruce Purser Reserve, një hapësirë e gjelbër që ndodhet pas Rouse Hill High School dhe Ironbark Ridge Public School në veriperëndim të Sydney. Shërbimet e emergjencës u nisën menjëherë drejt vendit të ngjarjes rreth orës 16:30, përfshirë edhe një helikopter të CareFlight.
Punonjësit e emergjencës së autoambulancës u përpoqën ta mbanin në jetë 17-vjeçarin, por i riu ndërroi jetë në vendngjarje. Paraprakisht dyshohet se adoleshenti është goditur me thikë në këmbë, çka rezultoi fatale për shkak të humbjes së madhe të gjakut.
Policia e Uellsit të Ri Jugor mori njoftim se dy persona të dyshuar, të dy supozohet të jenë adoleshentë, janë parë duke u larguar me vrap nga zona. Njëri prej tyre raportohet se ishte i veshur me uniformë shkolle. Në Caballo Street është ngritur një zonë e madhe e krimit, teksa oficerët vijojnë kërkimet për autorët dhe armën e përdorur.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal. Deputetja federale Michelle Rowland e cilësoi incidentin si humbje të dhimbshme të një jete të re dhe i shprehu ngushëllimet familjes së viktimës, duke theksuar se dhuna e tillë nuk ka vend në asnjë komunitet.
Strukturat policore vazhduan kontrollet deri pas orës 19:00, ndërsa hetimet mbeten në vijim.
