Sindikata akuzon Komunën për borxhe milionëshe dhe mungesë fondesh, ndërsa rreth 60 mijë qytetarë rrezikojnë të mbeten pa transport publik
Tensionet te Trafiku Urban në Prishtinë janë rikthyer me forcë, pasi punonjësit kanë dalë në protestë para Komunës duke kërkuar ndërhyrjen urgjente të kryetarit Përparim Rama. Punëtorët thonë se situata financiare ka dalë jashtë kontrollit dhe se shërbimi i transportit publik rrezikon të paralizohet plotësisht.
Kryetari i Sindikatës, Elmi Gashi, deklaroi se kërkesa kryesore e punëtorëve është pagesa e rrogave të prapambetura dhe kompensimi i dëmeve që, sipas tyre, janë akumuluar prej vitesh. Ai tha se punonjësit ndihen të lënë pas dore, ndërsa ndërmarrja po mbytet nga borxhet.
Sipas Gashit, Komuna i detyrohet Trafikut Urban 3.2 milionë euro, ndërsa ndërmarrja ka 1.6 milionë euro borxhe ndaj furnitorëve. Mungesa e fondeve ka çuar në pamundësi për të paguar pagat, për të blerë naftë dhe për të mbuluar shërbimet bazë, çka ka vendosur në rrezik vazhdimësinë e gjithë transportit publik.
Ai i kërkoi kryetarit Rama të dalë dhe të flasë me punëtorët, duke nënvizuar se çështja nuk duhet shndërruar në betejë politike, por mbetet një problem jetik për qindra familje dhe për rreth 60 mijë qytetarë të Prishtinës që përdorin çdo ditë transportin urban.

