
Komunikimet mes Naim Murselit dhe Granit Plavës, borxhet e mëdha dhe sigurimi jetësor prej 3 milionë kronash për Liridonën shihen si motivi kryesor i krimit
Dosja e Prokurorisë së Prishtinës për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt ka zbuluar një seri provash të reja, mes të cilave edhe komunikime të shpeshta mes të akuzuarve Naim Murseli dhe Granit Plava pak ditë para krimit. Sipas dokumenteve hetimore, dy të dyshuarit kanë pasur biseda të vazhdueshme nga data 25 deri më 29 nëntor 2023, përfshirë mesazhe dhe telefonata të shkurtra të regjistruara në aplikacionin WhatsApp.
Në datën 28 nëntor, rreth orës 19:41, Naim Murseli dyshohet t’i ketë shkruar Granit Plavës një mesazh të drejtpërdrejtë me përmbajtje që, sipas Prokurorisë, tregon planifikimin e ngjarjes. Pak pas kësaj, biseda mes tyre ka vijuar edhe përmes audiosh të regjistruara në telefonat e të akuzuarve, përfshirë një telefonatë 28 sekondëshe një ditë para vrasjes.
Në dosje përfshihet edhe një bisedë që Prokuroria e konsideron të rëndësishme: më 27 nëntor, Granit Plava është regjistruar duke telefonuar babanë e tij dhe duke e pyetur nëse e dinte vendndodhjen e një arme automatike, çka Prokuroria e sheh si element që përforcon dyshimet mbi përgatitjet për krimin.
Si pjesë e hetimeve, autoritetet kanë marrë edhe përgjigjet zyrtare të shtetit suedez. Sipas dokumenteve të ardhura përmes ndihmës juridike ndërkombëtare, Liridona Ademaj kishte një sigurim jetësor në vlerën 3 milionë kronash suedeze, të lidhur me kompaninë Folskam. Prokuroria e Prishtinës e konsideron këtë si provë kyçe, duke argumentuar se qëllimi i vrasjes ka qenë përfitimi financiar.
Hetimi ka zbuluar edhe detyrime të shumta financiare të Naim Murselit, me borxhe që llogariten në qindra mijëra euro ndaj personave të ndryshëm dhe kompanive, duke krijuar, sipas Prokurorisë, një motiv të fortë ekonomik.
Katër të akuzuarit, Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj, po përballen me akuzat për organizimin dhe ekzekutimin e vrasjes së Liridona Ademajt, e cila ndodhi më 29 nëntor 2023 në fshatin Bërnicë të Prishtinës. Dosja e plotë e aktakuzës, tregon se finalizimi i saj u vonua për shkak të dokumenteve shtesë të kërkuara nga Suedia që ndihmuan në zbardhjen e motivit të krimit.
