
Ministri shqiptar dhe presidenti i Interit dakordësojnë hapat e fundit, ndërsa në Shqipëri pritet mbërritja e një delegacioni të nivelit të lartë
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm në Milano me presidentin dhe CEO e Interit, Giuseppe Marotta, për të finalizuar projektin e krijimit të Inter Academy Albania. Pjesë e diskutimeve ishte edhe Juxhin Dervishi, drejtues i Inter Club Albania, i cili ka ndjekur nga afër procesin e këtij bashkëpunimi.
Bisedimet u fokusuan te struktura e partneritetit strategjik mes klubit italian dhe institucioneve shqiptare, me synim ngritjen e standardeve të futbollit bazë, si dhe krijimin e kushteve profesionale për zhvillimin e talenteve të rinj në vend dhe më gjerë në rajon.
Sipas ministrit Gonxhja, të dy palët janë në përmbyllje të detajeve të fundit dhe shumë shpejt një delegacion i Interit, i kryesuar nga Giuseppe Marotta, do të vijë në Shqipëri për të zyrtarizuar marrëveshjen përfundimtare.
Ky projekt shihet si një investim i rëndësishëm për të ardhmen e sportit shqiptar, duke sjellë ekspertizën e një prej klubeve më të njohura në botë dhe duke hapur rrugën për një model të ri në edukimin sportiv të të rinjve.
