
Takim zyrtar me Prokuroren Federale Ann Fransen, me fokus hetimet financiare, kriptomonedhat dhe krijimin e ekipeve të përbashkëta hetimore
Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela dhe drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani zhvilluan një vizitë dyditore në Belgjikë, ku u pritën në një takim pune nga Prokurorja e Përgjithshme Federale Ann Fransen. Vizita, e zhvilluar më 18 dhe 19 nëntor në Bruksel, vjen në kuadër të bashkëpunimit të qëndrueshëm mes institucioneve të drejtësisë së dy vendeve.
Takimi u mbajt si vazhdim i kontakteve të një viti më parë në Tiranë dhe u fokusua te forca e përgjigjes së përbashkët ndaj krimit të organizuar ndërkombëtar, hetimet financiare dhe rastet e pastrimit të parave, përfshirë përdorimin e kriptomonedhave nga grupet kriminale. Të dyja palët diskutuan mundësinë e krijimit të skuadrave të përbashkëta hetimore dhe përmirësimin e mekanizmave të ndihmës juridike, duke përfshirë ekzekutimin e vendimeve penale dhe letërporosive.
Një tjetër pikë e rëndësishme ishte rritja e efikasitetit në zbatimin e legjislacionit antimafia. Diskutimet theksuan nevojën për sekuestrim dhe konfiskim më të shpejtë dhe më të koordinuar të aseteve kriminale të personave të hetuar ose të dënuar në Shqipëri dhe Belgjikë, si pjesë e goditjes së strukturave kriminale që operojnë në të dy vendet.
Delegacionet e vlerësuan bashkëpunimin aktual si shumë të suksesshëm dhe shprehën synimin për të zgjeruar akoma më tej shkëmbimin e informacionit dhe koordinimin operativ në hetimet ndërkufitare.
