
Infermieri i papunë u paraqiste çdo vit dokumente në emër të së ëmës së vdekur, deri sa punonjësja e zyrës civile zbuloi mashtrimin
Një rast tronditës ka dalë në dritë në komunën Borgo Virgilio pranë Mantovës, ku një burrë u zbulua duke u shtirur si nëna e tij e ndjerë për të përfituar pensionin dhe të ardhurat e saj. Skandali nisi kur ai u paraqit në zyrat e gjendjes civile i maskuar si 85-vjeçarja Graziella Dall’Oglio, për të rinovuar kartën e identitetit.
Pamja e tij e çuditshme, flokë të shkurtër në stil femëror, grim i lehtë, veshje të viteve ’70 dhe stoli të vjetra, ngriti menjëherë dyshime te punonjësja e sportelit. Krahasimi me foton e kartës së identitetit të vjetër bëri të qartë se personi para saj nuk ishte zonja Dall’Oglio.
Punonjësja njoftoi eprorët dhe bashkinë, e cila lajmëroi policinë. Hetimi zbuloi se gruaja kishte vite që nuk ishte parë gjallë, ndërsa djali i saj, një infermier i papunë, vazhdonte të merrte pensionin e saj të majmë prej rreth 53 mijë eurosh në vit. Kjo shumë vinte nga pensioni i bashkëshortit të ndjerë, mjek me të ardhura të larta, si edhe nga pronat e familjes.
Policia e ftoi burrin të rikthehej në zyrat e komunës, ku ai u detyrua të pranonte se ishte maskuar si e ëma. Pas kësaj, autoritetet kërkuan kontroll në banesën e tij. Ai u dorëzua pa rezistencë, por ajo që u gjet brenda shtëpisë tronditi oficerët: në një nga dhomat ndodhej trupi i mumifikuar i nënës së tij.
Hetimet po vijojnë ndërsa autoritetet italiane po përcaktojnë kohën e vdekjes dhe mënyrën se si burri kishte arritur ta ruante trupin e saj për vite të tëra, duke përfituar në heshtje pensionet dhe të ardhurat familjare.
