
Presidenti Zoran Milanović vlerëson reformat dhe rolin e Shqipërisë në paqe dhe siguri, ndërsa Tirana kërkon intensifikimin e bashkëpunimit europian
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, u prit në një takim zyrtar nga presidenti kroat Zoran Milanović gjatë vizitës së saj në Zagreb. Bisedimet u përqendruan në mbështetjen e Kroacisë për procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe në thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Gjatë takimit, Spiropali falenderoi Kroacinë për mbështetjen politike dhe teknike që ka ofruar në çdo fazë të rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE-së. Ajo theksoi se eksperienca kroate është një model i rëndësishëm, ku reformat e qëndrueshme dhe diplomacia aktive sollën rezultate të prekshme.
Sipas saj, Shqipëria është e vendosur të ecë në të njëjtën rrugë, duke përshpejtuar reformat dhe duke intensifikuar dialogun me vendet anëtare të BE-së. Në të njëjtën linjë, presidenti Milanović vlerësoi përparimin e Shqipërisë dhe rolin e saj në paqen dhe stabilitetin rajonal, si edhe bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve në fushën e sigurisë.
Takimi u konsiderua si një sinjal i fortë politik për mbështetjen e Kroacisë ndaj procesit të zgjerimit të BE-së dhe hapave të Shqipërisë drejt anëtarësimit.
