E moshuara nga Librazhdi, e cila së bashku me bashkëshortin u vendosën në gjumë nga valiumi që dhëndri iu dha për t’u marrë paratë, ka folur për Euronews Albania, duke thënë se nuk ka kuptuar asgjë nga ajo që bëri bashkëshorti i vajzës së saj.
Po ashtu, ka folur edhe vajza e saj, bashkëshortja e autorit të dyshuar, e cila thotë se nuk do ta falë burrin e saj.
Muharrem dhe Mirushe Bitroshi, pas tre ditëve në gjendje të rëndë në spital, u kthyen në banesë, ku dhëndri 36-vjeçar iu dha valium dhe më pas iu mori paratë. Muharremi, 82 vjeç, vazhdon të jetë në gjendje të paqëndrueshme.
“Erdhi dhëndri, si je, a je mirë… nuk kuptova asgjë tjetër. Nuk mbaj mend fare asgjë. Çuni erdhi nga Greqia dhe na gjeti pa ndjenja. Me dhëndrin nuk kemi pasur probleme, nuk di nga i erdhi kjo ide.”, tha Mirushe Bitroshi.
Vajza e Mirushes, bashkëshortja e autorit të dyshuar, shton se burri i saj nuk i dha asnjë shenjë dhe thekson se nuk do ta falë këtë veprim.
Ajo thotë se gjendja e tyre ekonomike ka qenë e vështirë, pasi jetojnë me qira dhe kanë fëmijë të vegjël.
“Tani ai është në burg dhe më ka lënë vetëm me tre fëmijë. Do t’i shoh fëmijët tani. Nuk do ta fal më, pasi e fala një herë kur më goditi vëllain me grusht.”
