Një lajm vërtet i kobshëm tronditi të gjithë ne në këto momente, arsimtarja e moshës fare të re, Fjoralba Dule, ka ndërruar jetë.
Pas një sëmundjeje të rëndë, sot Fjori mbylli sytë përgjithmonë, duke na lënë me dhimbje të thellë dhe një boshllëk që do të ndjejmë për gjithë jetën. Ata që patën fatin ta njihnin e dinë sa shumë dritë dhe gëzim sillte ajo çdo ditë.
E qeshur, e ëmbël dhe gjithmonë e gatshme për të ndihmuar të tjerët, Fjori ka lënë pas një trashëgimi të pakrahasueshme të dashurisë dhe përkushtimit për nxënësit e saj.
Sot, shpirtin tonë e ka këputur humbja e saj dhe pa diskutim, familja e saj humbi njeriun më të dashur dhe më të çmuar.
Sëmundja e tmerrshme e mposhti, por kujtimi i saj do të jetojë përgjithmonë në zemrat e atyre që e deshën dhe e respektuan. Fjori nuk do të jetë më fizikisht midis nesh, por buzëqeshja dhe mirësia e saj do të mbesin një dritë që nuk shuhet kurrë.
