
Renea, Antiterrori dhe Policia e Pukës neutralizojnë ngujimin e rrezikshëm, sekuestrim i arsenalit dhe pajisjeve shpërthyese
Dy të rinj u arrestuan pas një operacioni të zgjatur në fshatin Orosh të Fushë-Arrëzit, ku qëndruan të ngujuar për 12 orë në një banesë të braktisur, duke kërcënuar forcat e policisë dhe duke hapur zjarr ndaj efektivëve të Renea-s. Erzen Uka, 35 vjeç, dhe Julian Cumraku, 34 vjeç, të dy me precedentë penalë, u vetëdorëzuan pas negociatave të vazhdueshme të familjarëve dhe pas pamundësisë për t’u larguar nga rrethimi.
Brenda banesës ku ishin izoluar, policia gjeti një arsenal armësh dhe pajisjesh luftarakë: katër automatikë, një pistoletë, shtatë karikatorë, 17 deri në 18 granata dore difensive, rreth 2000 fishekë, kapsolla detonatore dhe fitil zjarrpërcjellës. Në pjesën e murit u gjet edhe një flamur i Organiz atës Shteti Islamik, i vendosur mes armëve të ekspozuara, duke rritur dyshimet mbi rrezikshmërinë e situatës.
Sipas burimeve nga terreni, dy të rinjtë kishin ditë që nuk dilnin nga banesa, ndërsa muajin e fundit kishte hyrje-dalje të shpeshta. Negociatat u zhvilluan nga babai, vëllai dhe motra e njërit prej të rinjve, të cilët luajtën rol kyç në dorëzimin pa viktima. Gjatë qëndrimit në ngujim, njëri prej tyre qëlloi disa herë drejt forcave të policisë, ndërsa Uka u vetëplagos në këmbë, plagë që ai pretendoi se ia shkaktoi policia. Pas dorëzimit, ai u dërgua në spitalin e Shkodrës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Operacioni i koduar OROSHI u koordinua nga Komisariati i Policisë Pukë, DVP Shkodër, Drejtoria e Antiterrorit dhe Forcat Speciale Renea, të cilat morën nën kontroll perimetrin dhe evit uan përshkallëzimin e situatës. Ngjarja u shkaktua pasi një prej të rinjve, sapo pa patrullën e policisë, u fsheh me shpejtësi në banesën e braktisur dhe refuzoi të dilte, duke kërcënuar efektivët.
Të dy të arrestuarit do të hetohen për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë thirrjen dhe propagandën për akte me qëllime terroriste, prodhimin dhe mbajtjen e armëve luftarake, kundërshtimin e policisë dhe mbajtjen e mjeteve shpërthyese. Materialet janë dorëzuar për vijimin e procedurave në Prokurorinë e Shkodrës.
