
Rrëfimi tronditës i autores zbulon motivin financiar dhe skenën e dhunshme të krimit në Salaminë
Ngjarja e rëndë e 31 tetorit në Salaminë ka marrë përmasa edhe më të rënda, pasi autoritetet greke zbuluan se autorja e vrasjes së 75-vjeçares nuk ishte një grabitëse e rastësishme, por nusja e saj. Pas orëve të marrjes në pyetje, gruaja pranoi se e kishte planifikuar sulmin për të marrë paratë dhe bizhuteritë që e moshuara mbante në banesë.
Sipas hetimeve, autorja kishte maskuar fytyrën, kishte thyer një dritare dhe ishte futur brenda shtëpisë në momentin kur kujdestarja e viktimës mungonte. Ajo e njihte mirë ambientin dhe kishte shfrytëzuar zonat që nuk regjistroheshin nga kamerat e sigurisë. Përleshja nisi pasi e moshuara e pa teksa futej në banesë.
Sulmi ka qenë jashtëzakonisht i dhunshëm. Fillimisht, viktima u godit me një shishe qelqi në kokë, ndërsa goditjet e mëvonshme me thikë rezultuan fatale. Ekspertët thanë se trupi i 75-vjeçares mbante shenja të shumta mbrojtjeje dhe një plagë të thellë në fytyrë, duke dëshmuar për përpjekjen e saj për t’i shpëtuar agresionit.
Ndër motivet kryesore të krimit rezulton të jenë problemet financiare të autores. Ajo dinte saktësisht ku mbaheshin paratë dhe sendet me vlerë në shtëpinë e vjehrrës. Nga banesa mungonin 8 deri në 10 mijë euro, një sasi paundësh britanikë dhe disa bizhuteri të vlefshme, të cilat nuk u gjetën gjatë kontrollit të parë policor.
Pas rrëfimit të plotë, autoritetet proceduan me arrestimin e saj, ndërsa çështja i është referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Rasti ka shkaktuar tronditje të madhe në opinionin publik në Greqi dhe ka ngritur sërish pyetje mbi dhunën brenda familjes dhe kriminalitetin e fshehur pas konflikteve personale.
