
Profili i personit me rrezikshmëri të lartë që kaloi nga misionet ushtarake në Irak e Afganistan te akuzat për ekstremizëm dhe armëmbajtje
Erzen Uka, një nga dy të rinjtë që u dorëzuan pas operacionit 12 orësh në Orosh, rezulton të jetë një emër i njohur për strukturat e sigurisë. Ish-ushtari i forcave komando, i cili ka shërbyer në misione në Irak dhe Afganistan, prej vitesh është konsideruar person me rrezikshmëri të lartë dhe ka qenë nën mbikëqyrje nga Antiterrori që prej vitit 2007.
Në prill të vitit 2019, Uka u arrestua për dyshime mbi radikalizmin fetar dhe propagandën për nxitjen e urrejtjes me qëllime terroriste. Hetimet e asaj kohe zbuluan se ai publikonte në rrjete sociale materiale me përmbajtje ekstremiste dhe stërviste fëmijë me synimin për t’i dërguar drejt linjave të ISIS. Në shtator 2020, Gjykata e Tiranës e dënoi me tre vite burg për nxitje terrorizmi dhe mbajtje të armëve dhe municioneve pa leje.
Pas arrestimit të tij, Uka ka kërcënuar gjyqtarin Bib Ndreca dhe prokurorin Eugen Beci, duke paralajmëruar hakmarrje sapo të dilte nga burgu, gjë që e forcoi edhe më tej vlerësimin e autoriteteve për riskun që ai paraqiste.
Në operacionin e fundit në Orosh, Uka u vetëplagos përpara dorëzimit, ndërsa në banesën ku ishte strehuar së bashku me Julian Cumrakun u gjet një sasi e konsiderueshme armësh, granatash, municioni si dhe një flamur i ISIS, duke e futur çështjen në një trajektore të re hetimore për autoritetet e antiterrorit.
Ngjarja pritet të pasohet nga hetime më të thelluara mbi rrjetet e mundshme të lidhura me Ukën dhe nivelet e radikalizmit të dyshuar, ndërkohë që dosja i është kaluar Prokurorisë për vijimin e procedurave.
