
Policia zbardh tre raste të dokumentuara dhe heton vjedhje të tjera të dyshuara në zonën e Shijakut
Një 27-vjeçar është arrestuar nga Policia e Shijakut pas dyshimeve se ka kryer një sërë vjedhjesh në markete dhe biznese të zonës. I riu, me inicialet R. T., u kap në kuadër të operacionit të koduar Shumat, i finalizuar pas hetimeve disa ditore nga strukturat e Krimeve.
Hetimet zbuluan se i dyshuari ka kryer të paktën tre vjedhje të mëparshme në fshatrat Borak dhe Xhafzotaj, ku janë marrë shuma parash, sende me vlerë dhe aksesorë të ndryshëm. Policia ka sekuestruar edhe rrobat që i riu dyshohet se ka përdorur gjatë veprimeve kriminale, të cilat do të shërbejnë si prova materiale në dosjen hetimore.
Ndërkohë, organet e drejtësisë po vijojnë punën për dokumentimin me prova ligjore të disa vjedhjeve të tjera që dyshohet se janë kryer nga i njëjti autor. Të gjitha materialet janë dorëzuar në Prokurorinë e Durrësit për vijim të procedurave në ngarkim të 27-vjeçarit, i cili akuzohet për veprën penale të vjedhjes.
