
Drejtuesi i mjetit u ndalua pas një shkeljeje rrugore, ndërsa hetimet zbuluan lëndë narkotike dhe armë të ftohtë
Një 45-vjeçar në Vlorë u arrestua pasi kundërshtoi me forcë punonjësin e Policisë së Qarkullimit gjatë ushtrimit të detyrës. Ngjarja ndodhi në zonën e njohur si Rrethi i Çolës, ku efektivi ndaloi drejtuesin e mjetit L. Sh. për një shkelje të Kodit Rrugor dhe e informoi mbi masën administrative.
Sipas Policisë, drejtuesi fillimisht kundërshtoi me fjalë dhe më pas kaloi në veprime të dhunshme ndaj efektivit, çka solli shoqërimin e menjëhershëm të tij në Komisariatin e Vlorës. Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj 45-vjeçarit, u gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar kanabis, si dhe një mjet prerës i tipit thikë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provave materiale.
Pas veprimeve procedurale, Prokuroria nisi ndaj tij hetimin për tre vepra penale: kundërshtim të punonjësit të policisë, prodhim dhe shitje të narkotikëve, si dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta. Materialet janë referuar për vijim të procedurave ligjore.
