
Pamjet që kanë shpërthyer rrjetin tregojnë të voglën duke qarë e tmerruar, ndërsa askush nga efektivët nuk kujdeset për të
Pamjet e publikuara së fundmi kanë ngjallur indinjatë të madhe në opinionin publik, pasi tregojnë momentin kur efektivët e Policisë Rrugore në Vlorë tërheqin zvarrë një qytetar nga automjeti, ndërsa vajza e tij e mitur shpërthen në të qara duke thirrur me dëshpërim të atin. Ngjarja është regjistruar një ditë më parë dhe pamjet janë bërë virale në rrjet.
E vogla dëgjohet teksa përsërit mes lotësh thirrjen: “Ju lutem o babi”, ndërkohë që policët përpiqen me forcë të nxjerrin qytetarin nga makina, pa marrë asnjë masë për të qetësuar fëmijën që po shihte gjithçka nga afër. Britmat e saj mbeten të pandërprera, ndërsa asnjëri prej efektivëve nuk reagon për të mbrojtur apo larguar të miturën nga situata traumatike.
Sipas dëshmitarëve, ndërhyrja për të kujdesur për fëmijën ka ardhur vetëm nga qytetarët e rastit, të cilët iu afruan skenës sapo panë të voglën të terrorizuar. Sjellja e efektivëve ka hapur reagime të forta në rrjetet sociale, ku shumë qytetarë e konsiderojnë këtë veprim si shkelje të rëndë të etikës policore dhe mosrespektim të të drejtave të fëmijëve.
Deri më tani, Policia e Vlorës nuk ka dhënë asnjë reagim zyrtar mbi incidentin, ndërsa pritet që ngjarja të marrë trajtim institucional për shkak të sensibilitetit që ka krijuar.
