
GjEDNJ konstaton shkelje të procesit të rregullt ligjor dhe urdhëron dëmshpërblim prej 6 500 eurosh, ndërsa juristët kërkojnë rikthimin e Selimit në detyrë
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka shpallur se shkarkimi i ish-gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, nga organet e vetingut ka qenë i padrejtë dhe në shkelje të nenit 6 të Konventës, që garanton të drejtën për një proces të rregullt. Vendimi i Strasburgut thekson se procedurat ndaj Selimit nuk respektuan standardet minimale të transparencës, arsyetimit dhe të drejtës për mbrojtje.
Më herët, GJKKO e kishte shpallur Selimin të pafajshëm për akuzat e SPAK që lidhen me mosdeklarimin dhe fshehjen e pasurisë. Ndërkohë, Strasburgu rrëzoi kërkesën e tij për kompensim moral, por urdhëroi që shteti shqiptar të paguajë 6 500 euro brenda tre muajve për kostot dhe shpenzimet gjyqësore.
Selimi ishte shkarkuar nga vetingu mbi dyshimet se kishte pasur kontakte të papërshtatshme me A. I., një person nën akuzë për krim të organizuar dhe trafik droge, si dhe se mund të kishte ndikuar tek gjyqtarë të tjerë në vitet 2014–2015 për të favorizuar të njëjtin individ. Ndër arsyetimet për shkarkimin u përfshi edhe përdorimi i automjetit të një të afërmi që dyshohej se kishte lidhje me të akuzuarin.
Reagimet pas vendimit nuk kanë munguar. Juristi Ylli Manjani deklaroi se vendimi i Strasburgut është një shuplakë e fortë për institucionet e vetingut dhe për shtetin, duke kërkuar rikthimin e Selimit në detyrë. Sipas tij, Selimi u godit mbi bazën e thashethemeve dhe dyshimeve të pabazuara, ndërsa sistemi ka nevojë për rikthimin e gjyqtarëve me eksperiencë.
Vendimi i Strasburgut pritet të ketë ndikim në debatet e brendshme për funksionimin e procesit të vetingut dhe standardet e ndjekura nga institucionet e tij.
