Asim Vokshi ka bërë sot betimin para Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, duke zënë zyrtarisht vendin e lënë vakant nga gjyqtarja Holta Zaçaj, mandati i së cilës përfundoi në muajin prill. Vokshi u shpall fitues nga Gjykata e Lartë për zëvendësimin e Zaçajt, megjithëse procesi u kundërshtua nga kandidatja tjetër, Naureda Llagami, e cila pretendoi se një votë e pavlefësuar i përkiste asaj dhe do ta shpallte fituese.
Kundërshtimi i saj u rrëzua fillimisht në Gjykatën Administrative dhe më pas në Gjykatën Kushtetuese, duke i hapur rrugë betimit të Vokshit. Me largimin e Zaçajt, Gjykata Kushtetuese pritet të zgjedhë edhe një kryetar të ri, ndërsa aktualisht institucioni drejtohet përkohësisht nga nënkryetarja Marsida Xhaferllari.
