
Organizata trafikonte kokainë me vlerë 27 milionë euro nga Amerika e Jugut drejt Evropës, ndërsa operacioni i Guardia di Finanza çoi në 28 arrestime.
Autoritetet italiane kanë goditur një prej rrjeteve më të fuqishme të trafikut ndërkombëtar të kokainës, të lidhur drejtpërdrejt me mafian kalabreze Ndragheta. Guardia di Finanza ekzekutoi urdhër-arreste për 28 persona në disa rajone të Italisë, mes të cilëve gjenden edhe gjashtë shtetas shqiptarë.
Sipas hetimeve, grupi kriminal importonte kokainë nga Amerika e Jugut, kryesisht nga Kolumbia dhe Brazili, për ta shpërndarë fillimisht në Lombardi e më pas në vende të tjera të Evropës si Gjermania, Holanda, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar. Operacioni zbuloi se vetëm në dy vitet e fundit rrjeti kishte trafikuar sasi droge me vlerë rreth 27 milionë euro.
Shqiptarët e përfshirë në këtë organizatë janë identifikuar si Elvis Aliu, Marjus Aliu, Fation Aliu, Ervin Bashmeta, Kujtim Daiu dhe Artur Hoxhosmani. Ata dyshohen për rol kyç në logjistikën e transportit dhe shpërndarjes së lëndës narkotike.
Në qendër të strukturës financiare të rrjetit rezulton të ketë qenë një shtetas kinez, i akuzuar për pastrim parash dhe menaxhim të pagesave përmes sistemit informal të transferimit fei chien, i cili përdoret për të fshehur gjurmët e parave dhe për të shmangur bankat.
Operacioni, i shtrirë në disa shtete evropiane, konsiderohet një nga goditjet më të rëndësishme kundër trafikut të kokainës të lidhur me Ndraghetën në vitet e fundit.
