
Komisioni i posaçëm mblidhet për të përcaktuar emrin që do t’i propozohet KLP, ndërsa gara për drejtimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit po hyn në fazën vendimtare.
Komisioni i posaçëm për përzgjedhjen e drejtuesit të ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit mblidhet këtë të mërkurë për të vendosur emrin që do t’i dërgohet Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Në mbledhje marrin pjesë tre prokurorët e posaçëm të komisionit, si dhe përfaqësues të BE dhe OPDAT, të cilët kanë asistuar procesin prej fillimit.
Nga shtatë kandidatët fillestarë, njëri është skualifikuar në fazën e fundit, duke lënë në garë gjashtë pretendentë për postin më të lartë të BKH-së. Të gjithë kanë kaluar proces të plotë monitorimi dhe testimi, që përfshin testin e arsyetimit logjik, kontrollin mjekësor, testin fizik, esenë me shkrim, intervistën, verifikimin e figurës, deklarimin e pasurisë dhe testin e poligrafit.
Pasi komisioni të përcaktojë kandidatin, emri i propozuar i dërgohet Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili voton për kreun e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit, një pozicion që njihet gjerësisht si drejtuesi i FBI-së shqiptare. Fituesi do të marrë mandatin pesëvjeçar.
Posti ka mbetur vakant pas përfundimit të mandatit të ish-drejtoreshës Aida Hajnaj në muajin gusht, duke hapur garën për drejtimin e ri të BKH.
