
Mungesa e reshjeve ka goditur zonat bujqësore, lumenjtë janë tharë dhe qindra mijëra vende pune rrezikohen, ndërsa autoritetet kërkojnë blerje urgjente të grurit nga jashtë.
Siria po përjeton një nga krizat më të rënda mjedisore të dekadave të fundit, me një thatësirë të pazakontë që ka prekur vendin nga veriu në jug. Pas viteve të luftës që kanë shkatërruar ekonominë dhe infrastrukturën, mungesa e reshjeve ka thelluar më tej vështirësitë e popullsisë, e cila në shumicë jeton nga bujqësia.
Lumi Orontes, një prej burimeve kryesore ujore që përshkon rajonet e Homsit, Hama-s dhe Idlibit, është tkurrur në nivele alarmante. Brigjet e tij janë shndërruar në toka të çara e të zbrazëta, ndërsa rezervuari i digës së Rastanes ka rënë në minimum historik. Mijëra peshkatarë dhe fermerë që varen nga ky ekosistem janë përballë humbjes së të ardhurave.
Sipas matjeve të vitit të fundit, reshjet kanë rënë vetëm në 30 për qind të nivelit normal. Burime të shumta natyrore janë tharë, duke dëmtuar rëndë prodhimet bujqësore të Idlibit, Hama-s dhe fushave drithërore të Homsit. Mbi 200 mijë vende pune në sektorin bujqësor rrezikohen, ndërsa disa zona janë në prag të mungesës së ushqimit.
Përballë krizës, presidenti i përkohshëm Ahmed Al-Sharaa ka nisur negociatat për importimin masiv të grurit nga Rusia dhe vende të tjera prodhuese, me synimin për të shmangur një kolaps të furnizimeve dhe një goditje të re sociale në vend.
Ndërsa parashikimet e motit flasin për reshje të pakta në fund të nëntorit, autoritetet siriane paralajmërojnë se vendi mund të hyjë në një nga dimrat më të vështirë të dekadave të fundit, me pasoja të rënda për popullsinë rurale.
