
Autori i njohur u gjet i vdekur në një magazinë pranë shtëpisë së tij, pas një periudhe të gjatë përballjeje me depresionin dhe sëmundjet e gjakut.
Bota e televizionit britanik është tronditur nga lajmi i vdekjes së Daniel Postgate, një prej figurave më të dashura të prodhimeve për fëmijë në BBC. Autori dhe producenti 61-vjeçar, i cili ndihmoi në ringjalljen e filmave klasikë për fëmijë si Bagpuss dhe The Clangers, është gjetur i vdekur në një magazinë pranë banesës së tij në Whistable, Angli.
Sipas hetimeve të inquestit, vdekja e tij rezulton të ketë qenë vetëvrasje. Postgate vuante prej dekadash nga depresioni dhe ankthi, ndërsa vitet e fundit ishte diagnostikuar me një formë të rëndë të sëmundjes së gjakut, që kërkonte trajtime të vazhdueshme. Në vitin 2019 ai kishte marrë kimioterapi, ndërsa një letër e marrë vetëm një ditë para vdekjes i kishte rritur shqetësimet për përkeqësimin e gjendjes shëndetësore.
Familjarët deklaruan se ai kishte frikë se sëmundja nuk mund të kurohej plotësisht. Në një letër lamtumire, ai shkruante se shpresonte që të afërmit të vazhdonin jetët e tyre dhe të ruanin dashurinë mes tyre. Postgate ishte baba i dy fëmijëve dhe kishte qenë ndarë miqësisht nga partnerja e tij pas një marrëdhënieje 35-vjeçare.
Gjatë dëshmisë, vëllai i tij, Simon Postgate, tregoi se biseda e tyre e fundit kishte qenë e qetë, por se Daniel kishte luftuar prej 40 vitesh me depresionin, gjë që e bënte të vështirë të kuptohej gjendja e tij e vërtetë emocionale.
Vdekja e Daniel Postgate ka sjellë reagime të shumta në Britani, ku ai kujtohet si një njeri i përkushtuar ndaj artit të animacionit dhe një kontributor i rëndësishëm në botën e televizionit për fëmijë.
