
Marty Makary deklaron se ish-këshilltari kryesor shëndetësor i SHBA organizoi një operacion të gjerë mbulimi për teorinë e rrjedhjes nga laboratori i Wuhan-it, duke ndikuar në komunitetin shkencor dhe publik.
Debati për origjinën e pandemisë COVID-19 është rikthyer fuqishëm në Shtetet e Bashkuara, pasi drejtori i FDA, Marty Makary, ka akuzuar Anthony Fauci se ka qenë pjesë e një operacioni të gjerë mbulimi që synonte të zbehte teorinë se virusi mund të ketë rrjedhur nga laboratori i Wuhanit. Deklaratat u bënë në podcastin Pod Force One, ku Makary argumentoi se Fauci përdori pozicionin e tij në institucionet shkencore për të ndikuar opinionin publik dhe komunitetin akademik.
Sipas Makaryt, gjatë muajve të parë të pandemisë, Fauci ka organizuar komunikime të natës me virologë të ndryshëm, të cilët në takimet private e konsideronin të mundshme rrjedhjen laboratorike. Megjithatë, disa ditë më vonë, sipas dokumenteve të publikuara nga një komitet hetimor i Kongresit amerikan, të njëjtët shkencëtarë hartuan një artikull shkencor që e mohonte kategorikisht këtë mundësi. Makary pretendon se këta studiues më pas kanë përfituar fonde të konsiderueshme nga agjencia që drejtonte Fauci.
Deklaratat ndezën më tej debatin, për shkak se ish-presidenti Joe Biden e kishte falur Faucin vitin e kaluar për çdo shkelje të mundshme të kryer gjatë periudhës 2014-2025, gjë që Makary e lidh me dyshimet rreth rolit të tij në menaxhimin e informacionit për origjinën e virusit.
FDA ka theksuar se rregulloret amerikane për kërkimin e ndjeshëm biologjik janë zbutur me kalimin e viteve, ndërsa Makary pretendon se Fauci dhe Francis Collins kanë luajtur rol në lehtësimin e kufizimeve për kërkimet e njohura si gain of function, që përfshijnë modifikimin e viruseve.
Akuzat e reja kanë ndezur diskutime të forta në SHBA, ku një pjesë e komunitetit shkencor i konsideron këto pretendime të motivuara politikisht, ndërsa të tjerë kërkojnë transparencë të plotë mbi vendimmarrjen gjatë ditëve të para të pandemisë. Deri tani, Fauci nuk ka dhënë një koment zyrtar mbi këto deklarata.
