
Zbulimi makabër pranë stadiumit Akron në Guadalajara nxjerr në pah normalizimin e horroreve dhe indiferencën e autoriteteve ndaj rreth 130 mijë personave të zhdukur në Meksikë.
Meksika po përballet me një nga skandalet më të errëta të viteve të fundit, teksa pranë stadiumit Akron në Guadalajara, që do të presë ndeshje të Kupës së Botës 2026, janë gjetur më shumë se 456 thasë me mbetje njerëzore. Zbulimet janë bërë gjatë tre viteve të fundit në zonën e Zapopanit dhe i janë raportuar platformës Aristegui Noticias nga organizata e kërkimit të të zhdukurve Guerreros Buscadores.
Një pjesë e madhe e thasëve u zbuluan nga punëtorë ndërtimi gjatë punimeve për një kompleks të ri. Mbetjet e gjetura përfshijnë trupa të plotë, pjesë trupash dhe eshtra, ndërsa ekspertët thonë se disa prej tyre i përkasin viktimave të viteve 2018, 2020 dhe 2022, por pjesa tjetër janë më të freskëta, brenda një viti të fundit.
Ky zbulim i rëndë rëndon përgatitjet e vendit për Botërorin 2026 dhe rikthen në vëmendje dramën kombëtare të më shumë se 130 mijë personave të zhdukur. Familjarët e viktimave akuzojnë autoritetet për neglizhencë të thellë, duke thënë se kërkimet mbeten kryesisht në dorë të grupeve vullnetare dhe të afërmve të zhdukurve.
Organizatat e të drejtave të njeriut paralajmërojnë se ky është vetëm një episod tjetër i një realiteti të tmerrshëm, ku dhuna e kartelit të drogës dhe mungesa e ndëshkueshmërisë kanë bërë të zakonshme gjetjen e varreve masive pranë zonave të banuara dhe hapësirave publike.
Botërori i 2026 pritet të zhvillohet në atmosferën e shqetësimit të përzier me kritika ndërkombëtare mbi aftësinë e Meksikës për të garantuar sigurinë dhe respektin ndaj jetës njerëzore.
